Frankfurti pa tifozë kundër Napolit, trajneri i gjermanëve nuk e kursen ironinë

Napoli dhe Eintracht Frankfurti do të përplasin brirët për një vend në çerekfinalet e Champions League ditën e mërkurë në orën 21:00. Sfidën do të keni mundësi ta ndiqni live edhe përmes platformës Tibo, ndërsa në prag të kësaj sfide, trajneri i Eintrachtit ka preferuar të bëjë një ironi me situatën e tifozëve.

Së fundmi, ashtu siç edhe pritej është zyrtarizuar vendimi se tifozët gjermanë nuk do të lejohen të jenë të pranishëm për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës. Për këtë arsye, Oliver Glasner nuk ka preferuar ta lejë pa koment, madje është përgjigjur me anë të një ironie.

“Nuk lejohet hyrja e tifozëve të Frankfurtit? Shpresoj që të paktën të na lejojnë të hyjmë ne në stadium” ishte përgjigja e Glasner i cili ka krijuar shumë polemika në mediat italiane. Në sfidën e parë në Gjermani, Napoli triumfoi me rezultatin 2-0 dhe kërkon një tjetër fitore në “Maradona” për të vazhduar rrugëtimin në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube. /oversport.tv

Foto: Eintracht Frankfurt, Facebook