FSHF hap garën për shitjen e të drejtës TV të kampionateve dhe Kupës

Federata Shqiptare e Futbollit në bazë të procedurave dhe si pronare e të drejtës së transmetimit të veprimtarive sportive të organizuara prej saj, në bazë të nenit 35 të Ligjit 79/2017 kërkon të shesë të drejtën televizive për garat futbollistike, për territoret e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës se Kosovës për një periudhë 3-vjeçare.

Pas fazës së konsultimit paraprak me operatorët e fushës FSHF ka çelur zyrtarisht garën për të drejtën televizive të kampionateve të kategorisë “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë, si edhe të Kupës së Shqipërisë e Superkupës së Shqipërisë.

Të gjithë të interesuarit duhet të paraqesin ofertën ose ofertat e tyre ekonomike shoqëruar me dokumentacionin përkatës brenda datës 15.07.2022, ora 12.00 pranë selisë së Federatës Shqiptare të Futbollit.

FSHF dëshiron të bëjë me dije se ftesat për ofertë me specifikimet teknike dhe dokumentacionin e nevojshëm, u janë dërguar njëkohësisht subjekteve që operojnë në këtë fushë.