Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta presidenti i Elbasanit Arben Laze

Arben Laze është ndarë nga jeta në moshën 53-vjeçare pas një problemi shëndetësor që ka pasur ditët e fundit. Presidenti i Elbasanit, i cili fitoi edhe titullin kampion në vitin 2006, do të përcillet sot për në banesën e fundit, ndërkohë që homazhet do të mbahen nga ora 12:00 deri në 14:00 në “Elbasan Arena”.

Lajmi i vdekjes së Lazes i ka pikëlluar të gjithë. Nuk ka munguar edhe një mesazh i presidentit të FSHF, Armand Duka, i cili në rrjetet sociale shkruan:

“Pak orë më parë mora lajmin e rëndë se miku im i mirë, Presidenti i Elbasanit që ai e deshi aq shumë, Arben Laze, u nda nga ne.

Është e vështirë dhe tani për mua ta besoj dhe të shkruaj këto fjalë për një njeri të mirë, plot humor dhe optimizëm, që kontribuoi aq shumë për futbollin shqiptar.

Beni ishte një mik i të gjithëve ne, një njeri që nuk hiqte dorë lehtë nga përgjegjësitë dhe sfidat. Energjia e tij do t’i mungojë komunitetit të futbollit.

Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe. Lamtumirë miku im, do më mungosh!”. / oversport.tv