Gara e fundit e legjendës, Valentino Rossi flet pas Çmimit të Madh të Valencias

Ka përfunduar kështu një epokë e plotë në MotoGp, me legjendën e këtij sporti Valentino Rossi që zhvilloi sot garën e tij të fundit. Rekordmeni italian ka lënë kështu karrierën e tij pas 26 sezonesh të mbushur plot me tituj dhe me një festë të madhe në Valencia për lamtumirën e tij. Në fundin e garës ai dha edhe një intervistë të shkurtër ku komentoi disa detaje të garës dhe festës së zhvilluar.

“Unë u përpoqa ta përjetoja këtë garë të fundit në stilin tim. Duhej të ishte një festë. U zgjova duke menduar se duhej të bëja gjithçka për të pasur një garë të mirë, duke qenë se është e fundit. Jam i lumtur që ia kam dalë , e mbylla garën e fundit në mesin e dhjetë pilotëve më të fortë në botë, kjo është gjëja që më bëri të kënaqem më shumë”.

Pas përfundimit të garës ai shkoi në garazhin e ekipit dhe bëri një zhytje në stilin e një këngëtari Rock-u dhe mbi këtë fakt ai tha: “Zhytja në skenë si Jim Morrison në Los Angeles ka qenë gjithmonë ëndrra ime. Kam ëndërruar të zhytesha në publik në Mugello, por kisha frikë se nuk do të më gjenin më, prandaj preferova ta bëja në garazh. U shqetësova për këtë fundjavë, por megjithatë shkoi mirë. Më bënë shumë surpriza të këndshme. U argëtuam në garazh, ishte një festë në stilin tim, bëmë rrëmujë, pimë dhe kemi ndarë shumë gjëra, nuk jam ende aq i dehur”. /oversport.tv