Gara e fundit në Itali, Valentino Rossi: Shpresoj që tifozët të kënaqen

Valentino Rossi do të zhvillojë garën e tij të fundit në Itali këtë fundjavë në Misano, që ka qenë Çmimi i Madh i shtëpisë për pilotin e njohur.

Për numrin 46 kjo do të jetë përshëndetja e fundit me tifozët e tij: “Gara e fundit që kam bërë në Misano ishte shumë emocionuese për mua, dhe natyrisht që kjo do të jetë një garë speciale në shtëpi. Shpresoj që tifozët italianë ta shijojnë”.

Piloti i Yamahas është në formë për tre garat e fundit të karrierës së tij: “Ishte mirë që këto dy javë nuk patëm gara, sepse kemi kaluar ditë shumë të zëna, duke marrë në konsideratë udhëtimet në SHBA.

Jam stërvitur shumë në shtëpi gjatë kësaj periudhe, për të përballuar tre garat e fundit të sezonit në kushtet fizike optimale. Kjo garë e dytë në Misano do të jetë më e vështirë se e para, sepse klima do të jetë më e freskët se një muaj më parë.

Do të luftojmë për të dhënë maksimumin, duke synuar që të jemi pak më të shpejtë se në garat e fundit dhe të jemi më kompetitivë”, ka deklaruar Valentino Rossi, që ka njoftuar tërheqjen e tij nga kampionati i MotoGP në fund të këtij sezoni. /Oversport.tv