Gasperini: Fitore e merituar, duelet me Milanin e Interin tregojnë kush është Atalanta

Trajneri i Atalantës, Gian Piero Gasperini është i kënaqur me fitoren 2-1 përballë Sassuolos. Italiani mendon se është një rezultat i drejtë, duke iu referuar kronologjisë së ndeshjes, ku skuadra e tij ishte mirë në pjesën e parë, ndërsa kundërshtari mirë në të dytën.

63-vjeçari kërkon më shumë nga skuadra e tij, pavarësisht rezultatit në favor dhe lojës së mirë në fushë. “Duhet të jemi më konkurrues, të përmirësohemi teknikisht. Në këtë moment jemi disi të shqetësuar dhe kjo nuk na lejon të kemi vazhdimësi në performancë”.

“Ishte një performancë e mirë, një ndeshje e mirë, një lojë e hapur edhe falë Sassuolos që luajti me shpejtësi dhe teknikë”, vazhdoi Gasperini.

Ai shpreson që të ketë të gatshëm në vazhdim sulmuesin Muriel, i cili vuan nga një lëndim të muskujve. Ndeshjet e radhës janë me Interin dhe Milanin (pas ndeshjes me Young Boys në Champions), përballje të rëndësishme në Serie A.

Gasperini shton se këto përballje do e bëjnë të kuptojë se ku do të jenë në vazhdimin e kampionatit. “Inter, Milan dhe Napoli janë favoritë për titullin kampion. Këto duele do na bëjnë të kuptojmë se ku jemi. Do jenë dy javë vendimtare për ne”, përfundoi tekniku Italian. / Oversport.tv