Gasperini: Ky Milan më ka bërë përshtypje, golat e parë na tronditën

Gian Piero Gasperini, trajneri i Atalantës, ka vlerësuar Milanin pas humbjes që pësoi me ta. Tekniku italian analizoi ndeshejn dhe theksoi se goli i shpejtë pati ndikim, sikurse edhe i dyti në fundin e pjesës së parë. Gjithsesi ai vuri në dukje një kundërshtar që luan ndryshe nga skuadrat e tjera në Serie A.

“Pa asnjë dyshim goli 30 sekonda pasi nisi ndeshja dhe një tjetër para fundit të pjesës së parë ishin goditje për ne. Midis atyre dy golave kishim mundësinë të barazonim. Besimi ynë u trondit më pas dhe Milani nga ana tjëtër ishte në formë të shkëlqyer dhe gjithçka e bëri si duhet.

Ishim pa fat në disa situata, për shembull te dëmtimi i Pessina. Krijuam shanse dhe nuk i finalizuam, por edhe portieri i Milanit bëri pritje të mira. Kur fut sulmues e bën që të krijohen situata të rrezikshme para porte, por na mungoi kjo gjë. Sulmuesit tanë nuk janë në formën më të mirë dhe krijuan më pak raste në pjesën e dytë, edhe pse kishim më shumë sulmues në fushë”, tha fillimisht Gasperini për DAZN.

Më tej trajneri i Atalantës shtoi: “Kundër Interit ishte një ndeshje më e balancuar, kurse këtë herë u ndikua ndeshja nga goli i shpejtë. Pashë një Milan shumë të fortë, të shpejtë dhe me karakteristika që nuk i shihni gjithmonë në Itali.

Sa i përket ritmit dhe lëvizjeve sulmuese, ata bëhen shumë të rrezikshëm. Çdo ndeshje ka një histori ndryshe, por ky Milan me të vërtetë më bëri shumë përshtypje.

Pozicioni i Diaz na irritoi më shumë në pjesën e parë. E dinim se Theo mund të ngjitej lart, por e pësuam golin kur kishim shumë lojtarë në zonë.  Disa nga lojtarët më të rinj nuk ishin mësuar me lëvizjet mbrojtëse dhe ne duhet të punojmë më shumë me to”. / oversport.tv