Gasperini: Një ndeshje vendimtare, fitorja mban gjallë shpresat për kualifikim

5 pikë në 4 ndeshje, vendi i tretë në grup dhe një ndeshje për tu fituar në transfertë përballë Young Boysit, që më pas në sfidën e fundit në shtëpi të luajë për kualifikimin në 1/8 e Champions League. Kjo është gjendja e Atalantës në prag të sfidës së nesërme në Bernë.

“Fusha sintetike është një anomali në këtë kompeticion që ndodh vetëm këtu. Është ndryshe për shumë arsye, si përplaset topi, si gjuhet dhe shpejtësia. Nuk jemi të kënaqur që të luajmë kështu, por kjo nuk duhet të shërbejë si alibi, sepse këtë ndeshje duhet ta fitojmë”, ka thënë Gasperini në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes.

Atalanta do të zbresë në fushë, duke ditur rezultatin e sfidës Villarreal-Manchester United: “Pak gjë na ndryshon, sepse për të shpresuar tek kualifikimi duhet të fitojmë ndeshjen tonë.

Young Boys është një skuadër e fortë, që ka kohë që luan me këtë grup lojtarësh. Për ne është një ndeshje vendimtare”, ka shtuar tekniku i zikaltërve.

“Do të jetë një ndeshje e hapur, sepse të dyja skuadrat duan fitoren që të shpresojnë te kualifikimi. Kemi zbrazur infermierinë. Kaluam një moment të vështirë, por tashmë kam të gjithë lojtarët në dispozicion dhe ky është padiskutim një avantazh”, ka përfunduar Gasperini. / Oversport.tv