Victor Osimhen ka filluar luftën me kohën dhe po mundohet që të rikthehet sa më shpejt në fushën e blertë. Gjatë këtyre ditëve do të bëhet gati maska mbrojtëse për frakturat që pësoi në ndeshjen kundër Interit dhe javën e ardhshme sulmuesi i Napolit mund ta provojë.
Bomberi nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Spezias, që mbyll fazën e parë të Serie A, por ndoshta kur të rifillojë kampionati në ditët e para të vitit 2022, kur skuadra “axurre” do të përballet me Juventusin në stadiumin “Allianz” në 6 janar.
Sigurisht nëse e lejon Nigeria, duke marrë të mirëqenë faktin se Osimhen do të jetë mes lojtarëve të grumbulluar për Kupën e Afrikës, grumbullim që fillon menjëherë pas Krishtlindjeve.
Trajneri i Nigerisë, Austin Eguavoen gjithsesi ka lenë të hapur një mundësi, që sulmuesi mund të mungojnë në këtë turne.
“Shpresojmë që të rikuperohet sa më shpejt dhe që klubi ta lejojë të bashkohet me skuadrën. Gjithsesi, nëse kjo nuk ndodh, jam i bindur që Viktor do të bënte tifo për skuadrën”, ka thënë tekniku. / Oversport.tv