Gatti shpëton Juventusin në frymën e fundit, Roma fiton aktin e parë ndaj Leverkusenit

Akti i parë gjysmëfinal në Europa League mes Juventusit dhe Sevillas mbyllet në paqe. Të besuarit e Allegrit barazojnë vetëm në frymën e fundit pas golit të pësuar nga En Nesyri në minutën e 26. Ishte Gatti që në minutën e shtatë shtesë shpëton “Zonjën” nga një humbje në shtëpi. Ekipi tjetër italian në Europa League Roma, regjistron një fitore të rëndësishme po me rezultatin 1-0 përballë Bayer Leverkusen dhe konfirmon edhe njëherë emrin e saj në arenën europiane.

Sfida mes Juventusit dhe Sevillas nis mirë për miqtë që kanë mundësinë e parë me Lucas Campos. Nga ana tjetër Juventusi kundërpërgjigjet me Dusan Vlahovic që gjithashtu nuk ia del dot të zhbllokojë rezultatin. Në minutën e 26-të, Sevilla tregohet më e qartë dhe realizon me En Nesyri që e çon rezultatin në 1-0.

Goli i jep edhe më shumë motivim Sevillas që rrezikon edhe me Rakitic, por Szczesny tregohet i vëmendshëm. Në pjesën e dytë, Juventusi provon të reagojë për të ndryshuar fatin e takimit, por nuk ia del dot deri në sekondat e fundit. Kur pritet që sfida të mbyllet me fitoren e Sevillas, është Gatti që realizon golin e baraspeshës. Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur për sfidën e kthimit që do të luhet një javë më pas.

Në sfidën tjetër Roma hidhet menjëherë në sulm dhe krijon disa mundësi me Roger Ibanez dhe Andrea Belotti, por që nuk shfrytëzohen si duhet. Nga ana tjetër vetëm një mundësi serioze edhe për Leverkusenin në pjesën e parë, por rezultati nuk ndryshon.

Në pjesën e dytë, është Bove që zhbllokon shifrat në minutën e 63-të duke ngritur peshë Olimpicon. Kryeqytetasit mendojnë si të menaxhojnë rezultatin, ndërsa me këto shifra Leverkusen nuk pajtohet dhe hidhet në sulmë. Jeremie Frimpong ka mundësinë e artë të vendos gjithçka në baraspeshë në minutat e fundit të takimit, por nuk ia del. Në fund fiton Roma, që shkon me një rezultat më komod në sfidën e kthimit, por gjithçka mbetet e hapur. /oversport.tv

Foto: AS Roma, Twitter