Gaz Demi “show”: Daja e ka mirë me mua, s’rrezikon! Ishim sërish pa fat

Katër ndeshje, tre barazime, rezultate që nuk i shkojnë për shtat Partizanit, por në kampin e kuq nuk kanë ndërmend ta bëjnë dramë.

Ky kampionat parashikohet të jetë mjaft i fortë deri në fund dhe presidenti si fillim konfirmon se trajneri Daja nuk ndryshohet.

Sigurisht deklaratat Demi i ka në stilin e tij kur e “ngacmojnë” për të ardhmen e trajnerit. “S’ka asnjë rrezik, akoma jemi në fillim të kampionatit, çfarë do rrezikojë Daja.

Daja vazhdon trajnimin, e ka mirë me presidentin, me drejtorin e përgjithshëm, kështu që shpresojmë që fitorja e parë të jetë për Dajën”, thotë Demi mes të tjerash në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas barazimit të djeshëm në derbin kundër Dinamos.

Në lidhje me ndeshjen, presidenti i të kuqve shtoi: “Kur merret në fund barazimi, përsëri quhet i mirë. Nuk patëm fatin dhe një herë, përsëri një gabim i joni, shpresoj të jetë barazimi i fundit ky”.

Partizani për momentin renditet në vendin e gjashtë me tre pikë të grumbulluara, ndërsa ndeshjen e radhës e ka kundër Kukësit dy javë më pas. / oversport.tv