Gianluca Vialli, karriera e jashtëzakonshme e legjendës italiane që u nda nga jeta

Gianluca Vialli trishtoi të gjithë botën e futbollit dhe jo vetëm me ndarjen e tij të parakoshme nga jeta, por karriera e tij do ta bëjë që emri i tij të mos harrohet kurrë. Legjenda italiane nuk ia doli dot të fitonte betejën me sëmundjen e rëndë që po e mundonte prej disa vitesh, por në karrierë Vialli ka arritur të fitojë beteja që në pamje të parë dukeshin të pamundura.

I lindur në Cremona, Vialli i hodhi hapat e parë si profesionist me klubin e qytetit Cremonese ku u aktivizua për 4 sezone, prej vitit 1980 deri më 1984. Më pas vjen kalimi te Sampdoria ku fitoi fillimisht tre Kupa të Italisë, por eksperienca e tij në këtë klub u kurorëzua me titullin kampion të Serie A në sezonin 1990-1991.

Më pas vjen kalimi i tij te gjigantët e Juventusit të cilët i rikthen te titulli kampion 1994-1995. Qershia mbi tortë do të vijë një sezon më pas, sërish me “Zonjën e Vjetër” dhe ngjitet në fronin më të lartë të Europës, duke fituar Champions League me bardhezinjtë.

Vialli shpenzoi disa vite në fundin e karrierës edhe në Angli me Chelsea ku më pas u bë edhe trajner i “Bluve të Londrës”. Legjenda italiane u bë më pas një dyshe me Roberto Mancinin ku u shpallën kampion europe duke fituar “Euro 2020”. Një karrierë e mbushur me trofe dhe plot festë e lot gëzimi për Viallin, që jo vetëm në futbollin italian, por në të gjithë botën, nuk do të harrohet kurrë. /oversport.tv

Foto: FIGC Federazione Italiana Giuoco Calcio, Facebook