Giannis dhe Curry mbyllin llogaritë, Bucks dhe Warriors në gjysmëfinale

Nikola Jokic realizon 30 pikë dhe 19 rebounde por ato nuk mjaftojnë që Denver të evitojë humbjen përballë Golden State, që e udhëhequr nga një Steph Curry në superformë kualifikohet në gjysmëfinalet e Konferencës së Perëndimit.

Giannis Antetokounmpo me 33 pikë udhëheq Milwaukee drejt suksesit të radhës përballë Chicagos dhe tashmë kampionët në fuqi të NBA do të luajnë në gjysmëfinalet e Konferencës së Lindjes.

GOLDEN STATE WARRIORS-DENVER NUGGETS 102-98

Golden State kualifikohet në gjysmëfinalet e Play Off-it të Konferencës së Perëndimit pasi ka mposhtur Denverin 102-98, duke çuar në 4-1 rezultatin e përgjithshëm të ndeshjeve të Play Off-it.

Warriors zhvillojnë një periodë të katërt fantastike dhe fitojnë sfidën përballë Nuggets, duke u bërë skuadra e parë e kësaj Konference që kualifikohet në gjysmëfinale, ku do të ndeshen me fituesit e sfidës  Memphis- Minnesota. Stephen Curry është lideri i vendasve me 30 pikë të shënuara, por në sukses kontribuojnë edhe Draymond Green me 11 pikë dhe Klay Thompson me 15 pikë.

Nikola Jokic është protagonisti i miqve me 30 pikë dhe 19 rebounde, por Denver detyrohet të mbyllë këtu sezoni e NBA.

MILWAUKEE BUCKS-CHICAGO BULLS 116-100

Rikthimi i Chicagos në Play Off zgjat vetëm 5 ndeshje. Milwaukee nuk shkëlqen por arrin të fitojë sfidën e radhës, duke çuar në 4-1 rezultatin e përgjithshëm të serisë së Play Off-it dhe tashmë e sheh veten në gjysmëfinale, ku do të ketë përballë Bostonin.

Giannis Antetokounmpo shënon 33 pikë për Bucks, ndërsa Pat Connaughton 14 pikë dhe Bobby Portis 17 rebounde. Zhgënjejnë yjet e Bulls, DeMar DeRozan shënon vetëm 11 pikë, ndërsa ndihet mungesa e Zach LaVine dhe Alex Caruso. Më i miri për miqtë është Patrick Williams me 23 pikë. / Oversport.tv

Foto: Golden State Warriors Twitter