Giresse: Ndaj Greqisë ndeshje shumë e rëndësishme, fitorja ka shumë rëndësi

Kosova do të përballet sërish në Nations League me Greqinë këtë të diel. Dardanët kërkojnë të hakmerren pas humbjes që pësuan nga kombëtarja helene në ndeshjen e parë midis tyre më 5 qershor. Ndërkohë që në prag të kësaj sfide dha konferencën për shtyp edhe trajneri Alain Giresse.

“Pasi fituam ndaj Irlandës së Veriut në Prishtinë, kemi ardhur këtu për të luajtur një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj ekipit që kryeson grupin. Të shohim se çfarë do të sjellë kjo ndeshje.”

NDESHJA- “Është ndeshje shumë e rëndësishme, si çdo ndeshje ndaj një kundërshtari si Greqia. Nuk mund të them se është finale ose jo, por një fitore ka rëndësi në arritjen e ambicieve tona për të fituar grupin, pse jo për të kaluar në Ligën B.”

LOJTARËT- “Kemi pasur shumë probleme, por të bazohemi te lojtarët që kanë mbetur në grumbullim. Deri tani mungesat kanë qenë problemet, shpresoj të mos kemi mungesa të tjera në ndeshjet e radhës. Jemi këtu me këta lojtarë, e kemi obligim të përfaqësojmë shtetin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme me këta lojtarë që kemi në dispozicion.

Na mungojnë dy lojtarë shumë të rëndësishëm në mesfushë si Dresevic dhe Fazliji. Nuk mund t’i përdorim dot, por do mbesim gjithë natën duke folur për ata që mungojnë, kështu që të përqendrohemi te këta lojtarë që kemi.”

LOJTARËT E RINJ- “Është mirë të thërrasësh lojtarë të rinj në fillim të turneut, ata do të kenë kohë për të qenë pjesë e ekipit. Por, duhet të keni parasysh që krijohen edhe problematika nëse ftohen 30 lojtarë, kjo mund të sjellë probleme tek ekipi, pasi nuk do të luajnë të gjithë, dikush mund të përfundojë në tribunë.”