Giroud: Derbi nuk luhet, por fitohet! Milani është rikthyer

Derbi ka një hero. Olivier Giroud ja doli që të përmbysë Interin me dy gola për të rikthyer festën e Milanit në qytet dhe për të rihapur kampionatin. Menjëherë pas ndeshjes perfekte, francezi dha përshtypjet e para.

“E kam thënë edhe para ndeshjes që kjo përballje do të ishte speciale. Një derbi nuk luhet, por fitohet. Në pjesën e parë ishim në vështirësi. Në të dytën, u rikthyem në ndeshje. Isha me fat në topin e dytë që më erdhi. Jam shumë I lumtur dhe krenar për këtë skuadër që nuk duhet asnjëherë të heqë dorë”.

Për sulmuesin francez, kjo dopietë e çon në gjashtë numrin e realizimeve këtë sezon dhe vlen shumë, pikërisht në sfidën ku përpara saj u mësua mungesa e Zllatan Ibrahimovic.

“Në pjesën e parë isha disi i frustruar, njësoj si e gjithë skuadra sepse nuk luajtëm mirë. Mirëpo, në të dytën treguam një shpirt skuadre për t’u admiruar. Milani është rikthyer.

Derbet fitohen në çdo situatë që luhen, por deri te titulli, rruga është ende shumë e gjatë. Ne jemi në garë dhe do të luajmë shumë sfida, pa harruar që Inter mbetet ende në krye. Ne duhet t’i bëjmë mirë gjërat tona dhe më pas të shohim se çfarë do të bëjë Interi”. / Oversport.tv