Giroud: Ëndrra ime është të shpallem kampion i Italisë me Milanin

Olivier Giroud ka shënuar gola me peshë për Milanin këtë sezon, që kanë ndihmuar kuqezinjtë që të ngjiten në krye të renditjes së Serie A. Me dygolëshin e shënuar në derbi, sulmuesi francez u fut në zemrat e të gjithë tifozëve milanistë:

“Në tre minuta përmbysa gjithçka dhe bëra të shpërthejnë tifozët tanë. Ishte një emocion i pabesueshëm që nuk do ta harroj kurrë. Një nga ato ndeshje që ndikojnë në karrierë”.

Sulmuesi kuqezi ka tashmë vetëm një objektiv në mendje: “Tani ëndrra ime është që të shpallem kampion i Italisë me Milanin. Mungojnë edhe 8-të ndeshje për të realizuar diçka të rëndësishme për Milanin, pas disa viteve pa trofe.

Kemi mbështetjen e pakushtëzuar të tifozëve që më kanë pritur mirë. Është edhe gjysmëfinalja e kthimit në Kupën e Italisë kundër Interit. Klubi nuk e ka marrë kurrë këtë sukses të dyfishtë. Rruga është akoma e gjatë, po ecim hap pas hapi, por do të jetë një luftë e fortë deri në fund”, ka thënë Giroud në një intervistë për “Europe 1”.

Giroud nuk do të bashkohet me kombëtaren franceze gjatë pushimit (“46 gola në 110 ndeshje me Francën. Kam kaluar Platini, Papin dhe Trezeguet. Ka qenë një bekim, vite të jashtëzakonshme me ulje e ngritje”), ndërsa ka folur edhe për marrëdhënien e tij me Ibrahimovic, që është grumbulluar nga Suedia.

“Është fantastik, një njeri me karizëm dhe personalitet të jashtëzakonshëm. Duket i egër, por është i thjeshtë dhe ka një dashuri të madhe për futbollin dhe për standardet e nivelit të lart. Këtë ua transmeton edhe të rinjve.

Kur unë fillova karrierën ai luante në klube të mëdhenj. Nuk ka rëndësi kush luan, rëndësi ka të jesh vendimtar. Kjo tregon se edhe në moshën 35 apo 40 vjeçare mund të vazhdosh të luash”, ka thënë Giroud. / Oversport.tv