Giroud: Nuk kemi besim të tepruar, këtu jemi si një familje

Olivier Giroud po bën një punë të shkëlqyer te Milani, gjithashtu edhe në Kombëtaren e Francës. Në ndeshjen kundër Polonisë, 36-vjeçari u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në përfaqësuesen e “Gjelave”. Megjithatë sulmuesi i Milanit qëndron me këmbë në tokë dhe këtë e vërtetoi në konferencën për shtyp që dha sot.

“Te ne nuk ka besim të tepruar, ne i dimë cilësitë tona, do të përballemi kundër Anglisë që është një skuadër e fortë. Mendoj se kemi bërë shumë mirë që nga fillimi i këtij turneu. Ne jemi të fortë së bashku dhe kemi një shpirt të madh ekipi. Këtu jemi si një familje, ndihemi me fat sepse kemi cilësi dhe talent në këtë ekip. Për fat të keq kemi humbur lojtarë të mëdhenj nga dëmtimet, por me dëshirën që kemi do bëjmë gjëra të mëdha.” – tha fillimisht sulmuesi.

“Ne kemi folur tashmë me Hugo Lloris për Harry Kane. Ai është një lojtar me një profil të krahasueshëm me mua. Në vitet e fundit i pëlqen të tërhiqet më pas gjatë lojës për të marrë pjesë në manovrën e ekipit. Nuk e di nëse është vullneti i tij apo i trajnerit.”

Më pas Giroud foli dhe eksperiencën e tij tek Milani. “Kur mbërrita në Milano ishte koha e duhur për të pasur një tjetër sfidë. Milani më dha një mundësi të madhe. Kam ende vite të mira përpara dhe ende mund të bëj gjëra të mira. Ne jemi kampionët e Italisë, por duhet të bëjmë edhe më shumë.” – përfundoi Olivier Giroud. /oversport.tv