Giroud stërvitet me grupin, Pioli shpreson të jetë gati për ndeshjen e radhës

Pas fitores kundër Venezias, Milani po përgatitet për ndeshjen e radhës kundër Spezias me shpresën për t’iu rikthyer në dispozicion ndonjë lojtar i dëmtuar. Në veçanti, në Milanello po shohin situatën e Olivier Giroud.

Pasi mungoi në dy ndeshjet e fundit për shkak të një problem në shpinë, francezi është kthyer të stërvitet me grupin dhe do të provojë të rikuperojë për ndeshjen e radhës që do të luhet mbasditen e së shtunës.

Një lajm shumë i mirë për Piolin, që mund të ketë një opsion më shumë për qendrën e sulmit. Për momentin nuk ka siguri në lidhje me rikuperimin e Giroud, por pritshmëria është që kundër Spezia të jetë të paktën në pankinë.

Francezi është stërvitur me pjesën tjetër të grupit dhe pritet të grumbullohet për në transfertën në Liguria. Përsa i përket Ibras, dhimbja në tendinë duket se ka mbaruar, por nuk është e qartë nëse Zlatan do të jetë në dispozicion të Piolit që nga ndeshja e radhës.

Stafi mjekësor i kuqezinjve kërkon që të tregohet i kujdesshëm me suedezin, për të evituar rreziqe të tepërta. /Oversport.tv