Giuseppe Rossi rikthehet në Itali, do të luajë për Spalin në Serie B

Giuseppe Rossi kthehet në fushën e blertë dhe do të veshë fanellën e Spalit në Serie B. Pas 2 javëve stërvitje me skuadrën e drejtuar nga Pep Clotet, klubi emilian ka vendosur që të federojë sulmuesin italo-amerikan, që ishte lojtar i lirë, që nga 1 janari, kur përfundoi aventura e tij me Real Salt Lake City në MLS.

Rossi ka kaluar me sukses testimet mbi gjendjen e tij fizike dhe do të rikthehet të veshë fanellën e një klubi italian pas eksperiencës tek Genoa, që përfundoi në verën e vitit 2018.

Në karrierën e tij Giuseppe Rossi ka zhvilluar 343 ndeshje dhe ka shënuar 129 gola. Një karrierë që është zhvilluar në Angli, Spanjë dhe Itali. Gjithçka ka nisur në Parma dhe më pas transferimi tek Manchester United në moshën 17-vjeçare.

Rossi ka veshur edhe fanellat e Newcastle, Villarreal, Fiorentina, Levante, Celta Vigo dhe Genoa. Eksperianca e fundit në fushën e blertë ka qenë në Amerikë me Real Salt Lake City, ku luajti 7 ndeshje dhe shënoi një gol në vitin 2020. /Oversport.tv