Gjermania kërkon hakmarrje dhe kualifikim, Holanda synon të blindojë kreun

Do të luhen sot ndeshjet e radhës kualifikuese të Kupës së Botës, Katar 2022, për zonën e Europës. Është radha e grupeve E, G, H dhe J për të zbritur në fushën e blertë.

Bjellorusi-Çeki dhe Estoni-Uells janë dy ndeshjet që do të luhen në grupin E. Kryesuesit e Belgjikës duket se e kanë blinduar vendin e parë (16 pikë në 6 ndeshje) dhe lufta zhvillohet mes Çekisë dhe Uellsit (të dyja nga 8 pikë) për një vend në Play Off.

Holanda, kryesuesja e Grupit G, do të presë në shtëpi modestët e Gjibraltarit, ndërsa sfidat Letoni-Turqi dhe Norvegji-Mal i Zi janë dy takimet e tjera të këtij grupi.

Përballja mes norvegjezëve dhe malazezëve merr vlerat e një takimi direkt, pasi të dyja skuadrat pretendojnë një vend në turin tjetër të turneut. Edhe Turqia, me 12 pikë, vetëm 4 pikë larg kryesuesve të grupit, është në lojë për një kualifikim të mundshëm.

Slloveni-Rusi është ndeshja më interesante e ditës në grupin H, ndërsa kryesuesit e Kroacisë do të luajnë në shtëpi kundër Sllovakisë. Qipro-Maltë është sfida tjetër e këtij grupi.

Gjermania mund të bëhet skuadra e parë Europiane që siguron kualifikimin në fazën finale të Kupës së Botës, nëse fiton në transfertën e sotme kundër Maqedonisë së Veriut. Gjermanët kërkojnë të hakmerren për atë humbje surprizë, që u shkaktuan maqedonasit në ndeshjen e parë.

Një përballje mjaf interesante është edhe ajo mes Rumanisë dhe Armenisë, pasi të dyja skuadrat pretendojnë një vend në turin tjetër të turneut. Islandë-Lihtenshtejn është takimi tjetër i grupit J. / Oversport.tv