Është mbyllur ditën e sotme kjo ndalesë kombëtaresh për ndeshjet e Nations League ku kanë spikatur turpërimi i Italisë nga Gjermania dhe i Anglisë nga Hungaria. Të besuarit e Southgate u mposhtën në shtëpinë e vetë nga Hungaria me poker me rezultatin 4-0.
Edhe Gjermania mposhti në shtëpi me rezultatin e thellë 5-2 Italinë. Për Gjermaninë realizuan Kimmich, Gundogan, Muller dhe dy herë Werner, ndërsa golat e nderit të Italisë u shënuan nga talenti Gnoto dhe Alessandro Bastoni.
Kështu, në grupin 3 të Ligës A, Hungaria kryeson në mënyrë surprizë me 7 pikë, e ndjekur nga Gjermania me 6, Italia me 5, ndërsa Anglia me 2 pikë vazhdon ende të mos e ketë bërë fitoren e parë në këtë edicion.
Po në Ligën A në grupin 4, Holanda mposhti në frymën e fundit Uellsin me rezultatin 3-2. Lang e Gakpo i dhanë avantazhin e dyfishtë Holandës përpar se Johnson dhe Bale të vendosnin baraspeshën, megjithatë në fundin e takimit Depay i dha fitoren Holandës.
Po në të njëjtin grup Belgjika mposhti minimalisht Poloninë me rezultatin 1-0 falë golit të Batshuayi. Pas 4 ndeshjesh, grupin e kryeson Holanda me 10 pikë e ndjekur nga Belgjika me 7, Polonia me 4, ndërsa Uellsi qëndron në vendin e fundit me 1 pikë.
Në Ligën B, Armenia u mposht në shtëpi nga Skocia me rezultatin 4-1, ndërsa Bosnja mposhti Finlandën me rezultatin 3-2 falë golit të Pjanic dhe dygolëshit të Edin Dzeko. Fiton edhe Mali i Zi me rezultatin 3-0 ndaj Rumanisë, ndërsa sfida Ukrainë-Irlandë u ndal në barazim 1-1.
Në Ligën C, Turqia mposhti 2-0 Lituaninë, ndërsa sfida Luksemburg-Ishujt Faraoe u ndal në shifrat 2-2. Në Ligën D, Moldavia mposhti Andorrën 2-1, ndërsa Letonia mposhti në transfertë Lihtenshtejnin me rezultatin 2-0. /oversport.tv
Foto: UEFA Nations League, Twitter