Gjici përgënjeshtron lajmin e largimit: Longo vazhdon të jetë trajneri i Kukësit

Humbja e parë në kampionat përballë Teutës ditën e djeshme, duket se ka trazuar atmosferën në kampin e Kukësit.

Mediat vendase raportojnë se tekniku Diego Longo është larguar nga drejtimi i skuadrës kuksiane. Por, është vetë presidenti Safet Gjici, ai që përgënjeshtron këto lajme duke deklaruar se tekniku kishte planifikuar me kohë një udhëtim në shtëpi.

I pyetur mbi këtë çështje në një lidhje direkte në emisionin “Ora Sport” në televizionin Ora News, presidenti i skuadrës veriore ka thënë:

“Nuk ka asgjë të vërtetë në ato që shkruhen në media. Trajneri vazhdon të bëjë punën e vet. E lexova edhe vet lajmin në media, por varet si e interpreton deklaratën e tij pas ndeshjes. Ai ka thënë se do të bisedojmë me drejtuesit për të zgjidhur problemet dhe jo se do të largohet nga drejtimi i ekipit.

Ai e kishte prerë që më parë biletën për t’u bashkuar me familjen, tani që kampionati është pushim për shkak të ndeshjeve të kombëtares. Mediat kanë abuzuar në këtë lajm, pasi tekniku Longo vazhdon të jetë në krye të Kukësit”, ka thënë presidenti Safet Gjici. / Oversport.tv