Gjimshiti: S’na intereson Manchesteri, në Zvicër duam 3 pikët

Berat Gjimshiti flet si lider i Atalantës. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare udhëheq formacionin bergamask në ndeshjen në transfertë kundër Young Boys dhe thotë se do të jetë e vështirë. Ai gjithashtu foli për goleadën ndaj Spezias dhe për faktin se dueli mes Manchesterit dhe Villarealit nuk ndikon.

Champions- “Ne do të bëjmë si gjithmonë, ashtu si në Serie A dhe në Champions do të shkojmë për ta fituar këtë ndeshje. E dimë që është shumë e vështirë të luash aty, mbi të gjitha edhe për barin sintetik. Por edhe skuadra e Young Boys është e fortë. Ne do të kërkojmë ta fitojmë patjetër këtë ndeshje”.

Goleada- “Sigurisht që të shënosh kaq shumë gola na jep besim në fazën ofensive dhe do të kërkojmë të kurojmë edhe detajet e vogla për gabimet që kemi bërë. Jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje të madhe në Zvicër, por edhe në të ardhmen”.

Sfida tjetër- “Nuk mendoj se do të jetë avantazh fakti që e dimë rezultatin e ndeshjes tjetër. Ne do të zbresim në fushë si gjithmonë për të kërkuar 3 pikët dhe nuk na intereson shumë çfarë bëjnë të tjerët. Nëse do të marrim 3 pikët jemi në rregull me objektivin. Duhet thjesht të shohim përpara”, tha mbrojtësi i Kombëtares shqiptare. /oversport.tv