Në konferencën për shtyp pas ndeshjes kundër Hungarisë, Berat Gjimshiti ka deklaruar: “Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, por jo perfekte. Kemi bërë disa gabime, sidomos në pjesën e parë. Pikërisht këto duhet t’i korrigjojmë, duhet të jemi 90 minuta të kujdesshëm. Kjo gjë mungoi edhe në ndeshjen me Polonine dhe besoj se gabimet individuale na kushtuan shumë.”
Pyestjes nëse beson te kualifikimi pas kësaj fitoreje, mbrojtësi kuqezi i është përgjigjur me optimizëm: “Gjithçka është e mundur në futboll. Ky sport ka treguar se ëndrrat mund të realizohen. Do të japin gjithçka në fushën e blertë dhe të shpresojmë që të arrijmë kualifikimin”.
Tifozët e shumtë të kombëtares përkrahën skuadrën në “Elbasan Arena” dhe prezenca e tyre ka ndikuar për mirë tek skuadra kuqezi: “Personalisht më kanë munguar tifozët edhe në ndeshjet që kam luajtur me klubin. Rikthimi i tyre është diçka pozitive, sepse futbolli me tifozë është tjetër gjë”.
Dy fjalë edhe për ndeshjen e radhës kundër San Marinos: “Më kujtohet ndeshja e fundit kundër tyre, derisa të zhbllokohet ndeshja do të jetë e vështirë, më pas gjërat lehtësohen. Çdo ekip duhet respektuar, por ne kemi objektivat tanë”, – ka përfunduar Berat Gjimshiti. / Oversport.tv