Gjykata nuk toleron, ylli i Manchester City do të vazhdojë të qëndrojë në burg

Mbrojtësi i Manchester City, Benjamin Mendy do të qëndrojë në burg deri në fillim të gjyqit për përdhunim Janarin e vitit tjetër. Ai akuzohet për përdhunim të 3 grave.

Mendy ka 7 javë që ndodhet në burg për këto akuza, në pritje të gjyqit. Ai ka depozituar disa herë kërkesa për t’u liruar, por Gjykata gjithmonë ia ka refuzuar këto kërkesa. Më e fundit ishte kërkesa e ditëve të fundit në Gjykatën e Chester Crown, por prap rezultati ishte i njëjtë.

Mbrojtësi francez po mbahet për momentin në burgun e Altcourse në Liverpool. Lojtari nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore, por u njoftua nga avokati i tij. Ndërkohë as gazetarët nuk u lejuan në këtë seancë, por vendimi u bë publik në fund.

Mendy akuzohet për 3 përdhunime të femrave të ndryshme, njëra nga ato nën 18 vjeçe të ndodhura në vendbanimin e futbollistit në Cheshire. Këto incidente mendohen të kenë ndodhur në Tetor 2020, ndërkohë një tjetër akuzë është për sulm seksual ndaj një femre në Janar të këtij viti.

Manchester City e ka pezulluar lojtarin nga momenti i parë i bërjes publike të akuzës, ndërkohë ka hequr të gjitha bluzet me emrin e tij nga dyqanet e klubit. Gjithashtu i ka ndaluar tifozët të blejnë fanellat e tij.

Data e gjyqit për lojtarin francez është vendosur në 24 Janar 2022.