Gjykata spanjolle ultimatum UEFA-s: 5 ditë për të hequr sanksionet

Gjykata e Madridit ngre zërin në drejtim të UEFA-s dhe i lëshon një ultimatum: 5 ditë kohë për të anulluar përfundimisht sanksionet në drejtim të klubeve që donin të krijonin projektin Super Liga.

Nëse presidenti Aleksander Ceferin nuk do të zyrtarizonte në kohë vendimin, për të mund të vinte edhe një akuzë për mosbindje të autoriteteve gjyqësore.

Vazhdon lufta mes Manuel Ruiz de Lara, gjykatësi nga kryeqyteti spanjoll dhe qeverisë së futbollit europian, për procedurat ndëshkuese që qëndrojnë mbi Juventusin, Barcelonën dhe Realin e Madridit.

“Nuk është vërtetuar se UEFA ka respektuar masat shtrënguese që ka dhënë. UEFA e ka kaluar këtë të drejtë, duke promovuar praktika që kompromentojnë parimin e konkurencës së lirë.

Nuk mjafton një pezullim i këtyre masave, duhet një anullim. Mbajtja e masave disiplinore, edhe në situatë të pezulluar provizorisht, tregon praktika antikonkuruese”-shkruhej në vendimin e gjykatës. /Oversport.tv