Goditi me shishe uji Tedi Carën, Policia e Kukësit identifikon personin përgjegjës

Policia e Shtetit ka arritur të identifikojë personin që arriti të godiste me një shishe uji sulmuesin e Partizanit, Tedi Cara. Ky i fundit gjatë momentit që po festonte për golin e shënuar u godit në pjesën e syrit me shishe çka i shkaktoi disa dëmtime dhe u detyrua të shkonte në spital.

Autori ndërkohë është identifikuar dhe është në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Kukësit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë policia me anë të një deklarate zyrtare.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim, për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit dhe ndërmjetësit sportiv”, shtetasin A. E., 47 vjeç, banues në Kukës, pasi gjatë ndeshjes së futbollit “Kukësi-Partizani”, të zhvilluar më datë 19.09.2022, në stadiumin “Kukës Arena”,  ka hedhur një send të fortë (shishe me ujë të ngrirë) në fushë që ka goditur njërin nga futbollistët, shtetasin T. C. Vijon puna për kapjen e tij”, shkruhej në njoftimin e Policisë. /oversport.tv