Golden State shkëputet e vetme në krye të Perëndimit, Milwaukee në krizë

Golden State mposht Houstonin dhe ngjitet e vetme në krye të Konferencës së Perëndimit, falë edhe humbjes së Utah në Orlando. Milwaukee pëson humbjen e 5-të në 6 ndeshjet e fundit, pasi mposhtet në Washington.

Cleveland fiton në New York. Indiana fiton në Sacramento, ndërsa Brooklyn triumfon në Toronto. Përmbysje e madhe e Clippers-ave përballë Charlottes.

GOLDEN STATE WARRIORS-HOUSTON ROCKETS 120-107

Golden State mposht Houstonin dhe arrin fitoren e katërt radhazi në kampionat, si dhe vendin e parë në Konferencën e Perëndimit. Steph Curry shënon vetëm 20 pikë në 27 minuta dhe i lë vendin Jordan Poole, që shënon më shumë se të gjithë shokët e skuadrës, 25 pikë. Houston pëson humbjen e tetë radhazi në kampionat dhe të nëntën në këtë sezon.

ORLANDO MAGIC-UTAH JAZZ 107-100

Pas humbjes në Miami, Utah pëson një tjetër disfatë kësaj radhë përballë Orlandos. Perioda e fundit ka qenë shumë e dobët për Jazz, që humbin takimin me rezultatin 107-100. Cole Anthony udhëheq vendasit drejt suksesit me 33 pikë të realizuara, ndërsa Wendell Carter Jr. Shënon 22 pikë. Nuk mjaftojnë 21 pikët e Donovan Mitchell dhe “dopieta” 21+15 e Rudy Gobert, që Utah të evitojë humbjen.

WASHINGTON WIZARDS-MILWAUKEE BUCKS 101-94

Milwaukee, kampionia në fuqi e NBA pëson humbjen e pestë në 6 ndeshjet e fundit që ka zhvilluar në kampionat. Giannis Antetokounmpo realizon 29 pikë dhe 18 rebounde në 39 minuta, por nuk mjaftojnë që Bucks-at të fitojnë sfidën. Bradley Beal është lideri i Washingtonit me 30 pikë. Kryeqytetasit kanë tashmë 7 fitore dhe 3 humbje në kampionat.

Ndeshjet e tjera të NBA:

NEW YORK KNICKS-CLEVELAND CAVALIERS 109-126

LOS ANGELES CLIPPERS-CHARLOTTE HORNETS 120-106

TORONTO RAPTORS-BROOKLYN NETS 103-116

SACRAMENTO KINGS-INDIANA PACERS 91-94

OKLAHOMA CITY THUNDER-SAN ANTONIO SPURS 99-94