“Golin e kishim punuar në stërvitje”, Kumbarçe: Flamurtari në finale? Ekip simpatik, por tani luhet vetëm për fitore

Pas fitores në Berat përballë Tomorit, trajneri i Korabit, Shpend Kumbarçe është i lumtur për rezultatin e arritur. Ai u shpreh për Oversport se lojtarët bënë detyrat si duhej, ndërsa për sfidën finale ndaj Flamurtarit, mendon që gjithçka t’ia lejë fushës.

“Jemi të kënaqur sepse skuadra ka zbatuar në mënyrë perfektë detyrat që i kishim dhënë si staf. Ishte ndeshje e përgatitur jashtëzakonisht mirë. Ishim dy javë më parë në Berat dhe analizuam me detaje të gjitha situatat që ndodhën në ndeshjen që humbëm 3-1, të gjitha detyrat që dhamë, i ekzekutuam sot.”

TOMORI- “Tomori, për kontingjentin që ka, sidomos në fazën e dytë, e kishim parashikuar këtë lloj vështirësie, edhe kundërpërgjigjen. Megjithatë kishim dy shanse, fitorja na buzëqeshi ne.”

ECURIA- “Në fazën e parë kemi qenë shumë efikas. Në fazën e dytë me disa probleme e dinamika brenda grupit, dëmtime e kartonë, largim i dy lojtarëve, bëri që ne të kishim problematika. Por kishim besim te ky grup, që kur kemi nisur fazën përgatitore kemi besuar gjithmonë dhe skuadra na shpërbleu besimin.”

FINALJA ME FLAMURTARIN- “Për mua ka qenë ekip simpatik gjatë kampionatit, ne do të bëjmë detyrën e do të luajmë shanset tona. Nuk matet me rezultate, tani luhet vetëm për fitore, është ndeshje jetike. T’ia lëmë fushës çdo gjë.”

GOLI- “I punuar dhe i provuar në stërvitje”, tha ndër të tjera Kumbarçe. /oversport.tv