Gosens: Jam i magjepsur nga Interi, një klub i madh dhe historik

“Më ka magjepsur madhësia e këtij klubi. Erdha nga një klub i rëndësishëm si Atalanta, por tek Interi jam tek një skuadër shumë më e madhe, në një klub historik”.

Këto janë fjalët e Robin Gosens, që tregon përshtypjet e para që ka pasur tek Interi. “Dua që të debutoj sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të bëhem një lojtar i rëndësishëm për skuadrën”, ka thënë gjermani për “1 vs 1” në Dazn.

“Tani synimi im është që ta jap maksimumin edhe me kombëtaren gjermane. Në fund të vitit do të zhvillohet Botërori dhe dua të marr pjesë, por gjithçka varet nga paraqitjet e mia këtu në Milano”, ka shtuar anësori.

“Jam shumë krenar për rrugëtimin tim. Kam punuar shumë për të arritur në këto nivele. Ndoshta kam më pak talent në krahasim me lojtarë të tjerë, por pika ime e fortë ka qenë mentaliteti dhe disiplina.

Këto të dyja më kanë çuar shumë larg. Jam i kënaqur dhe krenar që kam arritur nivelin e Interit, sepse kam kaluar shumë orë në fushë dhe në palestër duke mësuar dhe u përmirësuar. Tani jam këtu”, ka thënë Gosens. / Oversport.tv