Grima: Vetëm për fitore në Kosovë, Norvegjia është ekip i fortë

Shqipëria do të përballet me Norvegjinë dhe Kosovë, më 25 dhe 30 nëntor, në dy ndeshje të vlefshme për kualifikueset e e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”. Trajner Armit Grima, në prag të këtyre dueleve ka folur për faqen zyrtare të FSHF-së.

“Jemi grumbulluar që dje në stërvitje. Mendoj që nuk është gjendja maksimale e vajzave, por besoj që këto dy ndeshje do t’i përballojmë me sukses. Besojmë te këto vajza që kemi grumbulluar. Do ishte mirë që t’i kishim të gjitha të gatshme, por mospajisja me pasaportë e dy vajzave besoj që na penalizon.

Shpresoj që deri në ditën e ndeshjes këto vajza të pajisen dhe grupi të jetë më i plotë, në të kundërt do të vazhdojmë me këto vajza, tek të cilat besojmë”.

“Norvegjia, së bashku me disa skuadra të tjera është maja e futbollit europian për femra. Është një kundërshtar shumë i fortë, gjithsesi ne japim vlerësimin sa i takon dhe do mundohemi të kemi një paraqitje dinjitoze, ashtu siç kemi pasur edhe në ndeshje të tjera me kundërshtarë të fortë.

Do përballemi me dy ndeshje të forta, pasi nuk mund të veçoj Kosovën dhe shpresojmë të shkojmë me sukses. Kosova dhe Armenia janë ekipe që janë poshtë nivelit tonë dhe shpresoj mos të kemi penalizime me kartonë ose dëmtime. Ne shkojmë veç për fitore në Kosovë”.

“Jemi rritur me pikë në renditjet e UEFA-s dhe FIFA-s, por problemi është që nuk jemi në momentet më të mira. Kemi probleme me dëmtimet, me pasaportat, me disa vajza që e kanë lënë futbollin dhe të gjitha ndikojnë te ne. Megjithatë, mendoj se jemi mirë dhe uroj të vazhdojmë me këtë ritëm”. / oversport.tv