Guardia di Finanza zbarkon në zyrat e Juventusit, akuza për bilance false

Kontrollet e bëra nga Guardia di Finanza në Torino dhe Milano në ambientet e Juventusit në lidhje me hetimet për çështjen “Prisma” në të cilën pretendohen bilance false kanë tronditur botën bardhezi.

Në lupën e Prokurorisë së Torinos, sipas asaj që shkruan “Gazzetta dello Sport”, janë 42 operacione të merkatos për një qarkullim prej rreth 50 milion eurosh: në këtë grup bën pjesë edhe shkëmbimi Pjanic-Arthur, që u bë me Barcelonën në vititn 2020.

Gjithçka ka nisur nga puna e Covisoc dhe Prokurorisë Federale 27 tetorin e kaluar, që pretendon ndryshime të mundshme në bilanc për të rregulluar humbjet e mëdha: 62 transferime në futbollin italian, mes të cilave 42 i përkasin klubit të Juventusit.

Nga shqyrtimi i dokumenteve ka dalë në pah, që klubi kishte dorëzuar dokumentacionin e duhur për transferimin vetëm në 3 raste. Nga ky fakt ka nisur edhe hetimi i Prokurorisë së Torinos, që ka njoftuar edhe Consob, pasi Juventusi është i kuotuar në Bursë.

Në nivelin sportiv, hetimet e mëparshme kanë hasur vështirësi në vlerësimin e saktë të vlerës monetare të një lojtari dhe ka rënë akuza e plusvalencave fiktive. Pra në këtë aspekt, nëse shkeljet provohen, Juventusi rrezikon një gjobë, ose një penalizim të lehtë në heqje pikësh. / Oversport.tv