Guardiola e vlerëson shumë, City synon “yllin” e Bayernit të Mynihut

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola e ka shprehur qartë admirimin për sulmuesin e Bayernit të Mynihut, Robert Lewandoski. Për momentin, golashënuesi polak mbetet në Gjermani, pavarësisht zërave të merkatos që thonë se është në kërkim të një sfide të re.

Anglezët kërkojnë të përfitojnë nga kjo situatë dhe janë një nga skuadrat kryesore në garë për të marrë shërbimet e sulmuesit, që mund të bashkohej në Manchester me ish-trajnerin e tij verën e ardhshme.

Polaku ka nisur sezonin në mënyrë të shkëlqyer, duke shënuar 13 gola në 10 ndeshje të luajtura. Një lojtar që gjen kaq lehtë rrugën e rrjetës, do të ishte përforcimi ideal për City-n, që këtë sezon nuk ka gjetur akoma një golashënues, që të udhëheqë skuadrën.

Agjenti i lojtarit, Pini Zahavi ka cilësuar Manchesterin si një nga destiancionet e ardhshme të klientit të tij verën e ardhshme.

Lewandowski dhe Guardiola kanë punuar edhe më parë së bashku në Gjermani, tek Bayerni. “Ai është lojtari më profesionist që kam njohur. Në kokën e tij, ai mendon vetëm për ushqimin e duhur, gjumin dhe stërvitjen: 24 orë në ditë.

Ai është gjithmonë aty, asnjëherë i dëmtuar, sepse fokusohet tek këto gjëra. E di shumë mirë se çfarë është e rëndësishme për të qënë në kushtet më të mira”, ka thënë tekniku spanjoll për Lewandowskin. /Oversport.tv