Guardiola u ankua, tifozët e Sitit: Mendo të bësh punën tënde

Manchester City fitoi 6-3 kundër Leipzig në Champions duke bërë nisjen që të gjithë do të ëndërronin. Mirëpo, kjo gjë nuk i shmangu polemikat. Origjina e tyre ishte në deklaratat e Guardiolës kundër tifozëve. Ai kërkoi më shumë mbështetje në shkallët e stadiumit për të ndihmuar ekipin gjatë ndeshjeve. Në sfidën e Champions-it ishin afro 38 mijë tifozë, por në “Etihad” kapaciteti është 55.000.

“Do të më pëlqente që të kishte më shumë tifozë në ndeshjen e së shtunës. Kemi nevojë për ta. Ju lutem ejani sepse do të jemi të lodhur dhe kem nevojë për ju. Do të jetë sfidë e rëndësishme. I ftoj tifozët që të vijnë në stadium dhe të shohin ndeshjen”, tha Pep pas duelit me gjermanët.

Por kjo deklaratë nuk iu ka pëlqyer aspak tifozëve, të cilët kanë reaguar nërpërmjet sekretarit të tyre. “Nuk jemi të sigurt nëse Guardiola e kupton të gjithën këtë që tha. Nuk i di vështirësitë që kanë disa njerëz për të ardhur në stadium të mërkurën në mbrëmje. Duhet të mendojë që ka probleme prej COVID. S’e di pse komenton këto gjëra.

Ai është trajneri më i mirë në botë, por nuk duhet t’u japë material tifozëve të skuadrave të tjera që të vënë në lojë Sitin. Njerëzit e quajnë ‘Etihadin’ si ‘Emptyhad” (i boshatisur). Ata argëtohen pas këtyre deklaratave. Pep duhet të bëjë vetëm punën e tij: Të stërvitë ekipin”, thuhet në deklaratën e tifozëve.