Gyasi surprizon Milanin në “San Siro”, një gol në shtesë i jep fitoren Spezias

Ishte një sfidë që nëse do të fitohej do ta ngjiste Milanin përkohësisht në krye të renditjes së Serie A, por në “San Siro” ka ndodhur surpriza e madhe, pasi Spezia e Manajt ka arritur që të përmbysë kuqezinjtë dhe me një gol të Gyasit në minutat shtesë, ka arritur që të marrë tre pikë të arta në Milano.

Ndonëse me mungesa të shumta në formacion, Milani nis sfidën me vrull dhe kërkon të gjejë menjëherë golin e avantazhit me Leaon, që duket në formë shumë të mirë. Portugezi bën gjithçka mirë dhe i afrohet disa herë golit, por Provedel është në lartësinë e duhur.

Dominimi i Milanit është i qartë dhe Leao, protagonist absolut i vendasve fiton një 11-metërsh, por Theo Hernandez gabon nga pika e bardhë dhe nxjerr topin jashtë. Pak minuta më vonë është vetë Leao, ai që zhbllokon sfidën dhe shënon golin e parë për MIlanin.

Mbyllet 1-0 pjesa e parë, por në të dytën duket se Milani ka humbur shkëlqimin e 45 minutave të para. Miqtë marrin zemër dhe fillojnë të shohin para. Agudelo barazon rezultatin pas një asisti të dhënë nga Verde.

Milani hidhet në sulm, duke kërkuar golin e avantazhit. Messias sheh ti anulohet një gol, ndërsa Ibra nuk arrin që të shënojë golin e fitores. Në minutën e 6-të shtesë është Gyasi ai që trondit vendasit, pasi shënon golin e dytë për skuadrën e tij, duke i dhuruar Spezias një fitore të artë, të dytën radhazi në kampionat.

Milani zhgënjen në shtëpi dhe pas tre fitoreve radhazi në kampionat, pëson humbjen e parë në vitin 2022. Një disfatë që i kushton shtrenjtë, sepse tashmë gjendet 2 pikë larg rivalëve të Interit, që kanë një ndeshje të prapambetur për të zhvilluar. / Oversport.tv

Itali / Serie A – Java e 22-të

Milan-Spezia 1-2

Leao 46’ / Agudelo 64’, Gyasi 96’