Haaland kërkon të jetë “ylli” i skuadrës së re, Reali synon ta bashkojë me Mbappe

E gjithë bota e futbollit gumëzhin për të ardhmen e Haaland. Të gjitha skuadrat e mëdha të kontinentit e dinë se çfarë është i aftë të bëjë dhe në fakt sulmuesi norvegjez nuk zhgënjen, ashtu siç thonë edhe statistikat e tij me skuadrën e Borussias së Dortmundit.

Gjermanët janë një klub që historikisht i shesin “xhevahirët” e tyre, por verën e kaluar drejtuesit vendosën që të refuzonin të gjitha ofertat, duke deklaruar se Erling Haaland ishte i pashitshëm.

Situata ka ndryshuar pas 1 shtatorit, sepse kontrata që ka nënshkruar lojtari dhe agjenti i tij, Mino Raiola, me klubin gjerman skadon në vitin 2024, por tashmë hyn në lojë një klauzolë ku është fiksuar çmimi fillestar për shitjen e sulmuesit.

Flitet për 75 milionë euro, një shumë që asnjëherë nuk u mohua nga asnjëra prej palëve dhe u shënua dy vjet më parë, kur Haaland ishte një 18-vjeçar premtues.

Sulmuesi pranon se koha e tij për të lënë klubin gjerman po afrohet. Raiola është në kërkim të një kontrate të madhe, një marrëveshje të rëndësishme, por Haaland thotë me zë të lartë se: “Unë dua të jem lojtari më i rëndësishëm i skuadrës, lojtari që duhet ndjekur.”

Haaland është ambicioz dhe i fuqishëm fizikisht, madje ka arritur rekorde të rezervuara për më të mëdhenjtë. Me Borussia Dortmund ai ka luajtur 67 ndeshje zyrtare, duke shënuar 68 gola.

Në Dortmund kanë filluar të kuptojnë se largimi i norvegjezit është i pashmangshëm. Joachim Watzke, menaxher i përgjithshëm i klubit gjerman ka qenë i sinqertë: “Do të jetë e vështirë të mbajmë Haaland. Ne do të bëjmë gjithçka të mundshme. Nëse ikën, ne do të gjejmë një lojtar tjetër të nivelit të tij”.

Në dy vitet e fundit, Real Madrid ka qenë skuadra më pranë blerjes së norvegjezit, por gjigandët spanjoll kanë pasur gjithmonë objektiv primar Mbappe, të cilin shpresojnë ta blejnë verën e ardhshme.

Nëse norvegjezi pranon të luajë në krah të francezit, atëherë do të shikonim një dyshe ëndrrash në Madrid. Tani është koha e negociatave, Raiola dhe babai i futbollistit tashmë e njohin Valdebebas.

Ata folën me José Angel Sánchez dhe ata tashmë e dinë pozicionimin e Real Madridit. Duket se po i vjen fundi enigmës në lidhje me të ardhmen e sulmuesit norvegjez. /Oversport.tv