Hadribeaj mbetet i pamposhtur, “Snajperi” shqiptar dominon dhe fiton ndaj Stanford

Ermal Hadribeaj vazhdon të triumfojë në boksin profesionist. “Snajperi” shqiptar ka mposhtur me pikë amerikanin Charles Stanford në ringun e “MOTOR CITY” Casino në Detroit, ndërsa ishte dukshëm më lart se kundërshtari i tij.

Në sfidën që u transmetua drejtpërdrejtë në Tibo dhe Oversport, 28-vjeçari nga Tirana e dominoi takimin në të tetë raundet. Në raundin e tretë madje, “Snajperi” shqiptar arriti ta hidhte “knock down” kundërshtarin, por ky i fundit ia doli të ringrihej sërish.

Megjithatë, përgjatë tetë raundeve, Hadribeaj ishte dukshëm më lartë se kundërshtari i tij, edhe pse Stanford arriti të rezistonte falë eksperiencës së tij, pasi është një boksier 35-vjeçar.

Në fund Hadribeaj fitoi me pikë, 80-71 dhe 80-70 nga votat unanime të dy gjyqtarëve, duke bërë kështu që “Snajperi” shqiptar të triumfonte në të tetë raundet e takimit. Kjo është fitorja e 14 në karrierën e tij si boksier profesionist, ndërsa ka vetëm një barazim dhe asnjë humbje.

/oversport.tv