Hallaçi: Kjo fitore na qetëson, nuk kemi kohë për të festuar

Trajneri i Kukësit Rrahman Hallaçi ka folur për Oversport pas fitores 2-1 përballë Egnatias në Rrogozhinë.

“Nuk ka më ndeshje të lehta. Sidomos për ne, për pozicionin që kemi në renditje. Skuadra reagoi dhe ishim të bindur që edhe fati do të kthehej në favorin tonë. Po mundohemi që të përmirësojmë shumë gjëra dhe të dalim nga ky moment i vështirë. Më vjen keq që bëjmë gabime në mbrojtje, por kemi prodhuar lojë. zhvilluam një ndeshje të mirë, e vumë në vështirësi kundërshtarin.

Në pjesën e dytë lojtari Delimedac ka bërë një paraqitje të mirë dhe shënoi, duke treguar vlerat e tij. Mendoj që skuadra nuk u dorëzua, reagoi, besoi deri në fund dhe arritëm të fitonim. Jam shumë i kënaqur me lojtarët, shpresoj që dëmtimi i Momos të mos jetë i rëndë. Kjo fitore na qetëson, por asgjë nuk ka mbaruar. Nuk i kemi kushtet të festojmë, pasi jemi akoma në zonën e ftohtë.

Entuziazmi? Kjo skuadër ka prodhuar futboll, por ka pasur fatin kundër dhe disa gabime individuale na kanë penalizuar. Skuadra ka cilësi dhe unë jam menduar që ti ngre besimin në forcat e tyre. Ka shumë ndeshje dhe në fund të kampionatit mund të jemi në pozita komode, prandaj duhet të besojmë.

Probleme në fushën tuaj? Po, sepse aty ka pak presion, pasi fitorja është detyrim. Prandaj kjo gjë na ka vështirësuar pak situatën. Lojtarët janë profesionist dhe ka ardhur koha që të fitojmë edhe në shtëpinë tonë.

Largimi i Haxhiut? E kam aktivizuar titullar në të gjitha ndeshjet, por ai ishte në huazim dhe mbaroi periudha e huazimit, u kthye te Apolonia”, ka thënë mes të tjerash Hallaçi. / Oversport.tv