Hamilton bën ndryshime në motor, penalizohet në Çmimin e Madh të Turqisë

Një lajm surprizë vjen në prag të Çmimit të Madh të Turqisë që do të zhvillohet këtë fundjavë, aty ku do të vazhdojë akti i radhës i betejës për titullin kampion mes Lewis Hamilton e Max Verstappen.

Por, lufta mes të dyve këtë herë do të fillojë nga zona e pasme e nisjes, pasi britaniku ka ndryshuar motorrin në Mercedesin e tij dhe do të penalizohet në nisjen e garës.

Hamilton do të zbresë 10 pozicione në start, pasi në makinën e tij ka ndryshuar motorin endotermik. Gjatë javës Hamilton kishte përjashtuar mundësinë e ndërrimit të gjithë “power unit”, siç ndodhi në Sochi për Bottas dhe Max Verstappen, që u penalizuan duke nisur garën nga fundi.

Pra, nëse britaniku do të fitojë “Pole Position” në provat zyrtare, do të jetë i detyruar ta nisë garën nga vendi i 11-të, duke e bërë kështu akoma më interesante garën për titullin kampion, pasi kur kanë mbetur edhe 7 gara nga përfundimi i sezonit diferenca mes tij dhe pilotit holandez të Red Bullit është vetëm 2 pikë. /Oversport.tv