Hamilton i pari për “Sprint Race” në Brazil, por qëndron frika e një penaliteti

Lewis Hamilton ka arritur të sigurojë vendin e parë për “Sprint Race” këtë të shtunë në Çmimin e Madh të Brazilit. Anglezi regjistroi kohën më të shpejtë i ndjekur nga rivali i tij i drejtpërdrejtë për titullin kampion, Max Verstappen. Megjithatë, qëndron rreziku që ai të penalizohet për shkak të një parregullsie.

Holandezi ndryshe nga garat e tjera ishte më i ngadaltë dhe do ta shoqërojë kampionin në fuqi nga linja e parë e nisjes. Në rreshtin e dytë ndërkohë janë përsëri dy pilotët e Mercedes dhe Redbull, me Valteri Bottas që do të niset nga vendi i tretë dhe Sergio Perez nga vendi i katërt.

Ndërkohë, surpriza më e madhe të premten ka qenë Piere Gasly me Alpha Tauri që regjistroi kohën e pestë më të shpejtë. Ai do të ndiqet nga dy pilotët e Ferrarit Carlos Sainz dhe Charles Leclerc. Kanë zhgënjyer dy pilotët e McLaren që do të nisen vetëm nga vendi i tetë dhe i nëntë me Lando Norris përpara shokut të tij të skuadrës Daniel Ricciardo. Sakaq, 10 pilotët më të shpejtë i mbyll Fernando Alonso. /oversport.tv