Heroi Bakaj kualifikon Dinamon, e pret derbi me Partizanin në çerekfinale

Nuk kanë mjaftuar 120 minuta lojë, për të përcaktuar skuadrën e tetë çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Tirana mposhti 2-0 Dinamon në “Air Albania” në 90 minutat e kohës së rregullt, i njëjti rezultat me të cilin ishte mposhtur në ndeshjen e parë të Kupës.

Pas shtesës prej 30 minutash rezultati nuk ka ndryshuar dhe kanë qenë penalltitë ato që kanë përcaktuar skuadrën që do të vazhdojë më tej rrugën në Kupën e Shqipërisë.

Të dyja skuadrat kanë gabuar shumë nga pika e bardhë (Gavazaj dhe Demiri për Dinamon, Limaj, Xhixha  dhe Toshevski për Tiranën), por në fund kanë qenë blutë ata që kanë festuar kualifikimin, me portierin Bakaj heroin e sfidës.

Pjesa e parë ka qenë e vakët në raste, me të dyja skuadrat që duket se kanë vështirësi që të dalin rrezikshëm përpara. Tirana mundohet më shumë, sepse beson tek përmbysja e madhe, por rastet e pastra mungojnë në 30 minutat e para.

Ndeshja zhbllokohet në minutën e 35-të, kur Aldi Gjumsi realizon një gol shumë të bukur i vetëm mes 3 mbrojtësve dinamovitë. Rriten shpresat e bardhebluve për kualifikim, por me rezultatin 1-0 mbyllen 45 minutat e para të kësaj sfide.

Tirana nis vrullshëm pjesën e dytë, duke synuar golin që do të barazonte rezultatin e përgjithshëm dhe do të afronte edhe më shumë kualifikimin. Bardheblutë dominojnë sfidën dhe përpjekjet e tyre shpërblehen në minutën 78-të, kur Vesel Limaj shënon golin e dytë të ndeshjes nga pika e bardhë e penalltisë. Është Hoti ai që fiton 11-metërshin, pas një ndërhyrje të gabuar të portierit Edvan Bakaj.

Minutat e mbetura bëhen mjaft interesante, me Tiranën që kërkon golin e kualifikimit, ndërsa Dinamo duket si e përhumbur në fushën e blertë. Xhixha shfaqet rrezikshëm në dy raste në minutat e fundit të ndeshjes, por nuk arrin dot të gjejë rrugën e rrjetës.

Provon edhe Limaj në minutat shtesë, por është Bakaj ai që i mohon golin e kualifikimit. Mbyllet 2-0 koha e rregullt dhe tashmë skuadrat do të luajnë 30 minutat e kohës shtesë. Tirana është shfaqur më kërkuese edhe në shtesë, madje ka patur një rast të artë me Beshiraj, por rezultati nuk ka ndryshuar. /Oversport.tv

Kupa e Shqipërisë / Turi i dytë / Grupi A

Tirana-Dinamo 2-0 (7-8 pen)

Gjumsi 35’, Limaj 78’