Heshtje që flet shumë, Mourinho nuk del në konferencë para Interit  

Jose Mourinho ka vendosur mos të dalë në konferencë për shtyp në prag të supersfidës ndaj Interit. Roma do të përballet me zikaltrit nesër në orën 18:00, në sfidën që do të transmetohet drejtpërdrejtë në Oversport 1. “The Special One” ka vendosur kështu ta presë me një metodë speciale ndeshjen ndaj ish-ekipit të tij Inter.

Sipas mediave italiane, portugezi e ka bërë këtë gjë për dy arsye. E para lidhet me shmangien e kritikave dhe të përgjegjësive për humbjen që ka pësuar në ndeshjen e fundit në Bologna. Një konferencë me tone të ashpra do të dëmtonte më shumë ambientin e Romës, diçka që nuk do t’i pëlqente aspak Mourinhos dhe drejtuesve kryeqytetas.

Ndërkohë, në argumentin e dytë, Mourinho po përpiqet të fus në kurth Interin. Ai nuk do të japë asnjë informacion lidhur me ekipin e tij në prag të kësaj sfide në mënyrë që të luaj edhe faktorin surprizë, për të pasur një avantazh. Kështu rikthimi i tij në San Siro si trajner i Romës do të përflitet shumë. Njësoj si vendimi i tij, Mourinho nuk tha asnjë fjalë, por zgjedhja e tij foli shumë. /oversport.tv