Hetimet mbi Juventusin, prokuroria kërkon dëshminë e Jorge Mendes

Vazhdon me intensitet të lartë hetimi Prisma. Dje prokurorët e Torinos kanë dëgjuar për thuajse 4 orë dëshminë e Giovanni Manna, drejtuesi përgjegjës për skuadrën e dytë të Juventusit. Siç tregon sot “Gazzetta dello Sport”, Manna nuk figuron mes 6-të të hetuarve.

Drejtuesit juventin i është kërkuar që të qartësojë operacionet e merkatos që kanë lidhje me lojtarët e rinj që dalin në 42 transferimet ku janë përqendruar hetimet. Nuk ka patur të reja në hetimet dhe në ditët e ardhshme pritet që të merren në pyetje edhe drejtues të tjerë të klubit.

Nuk ka akoma një datë se kur do të dëgjohen presidenti Andrea Agnelli, zëvendësi i tij Pavel Nedved dhe ish-përgjegjësi i zonës sportive Fabio Paratici (aktualisht te Tottenhami).

Hetuesit vazhdojnë të pretendojnë ekzistencën e “dokumentit Ronaldo”, ku sipas përgjimeve tregohen marrëdhëniet ekonomike të portugezit dhe klubit.

Ditët e fundit u hodh hipoteza se lojtari do të dëshmonte në prokurori, por me shumë mundësi sqarimet mbi këtë temë do ti bëjë agjenti i tij, Jorge Mendes. Nuk ka akoma një datë të saktë, por me shumë mundësi menaxheri i njohur do të pyetet pas Krishtlindjeve. /Oversport.tv