Hetimi për bilancet fiktive te Juventus, në listë edhe dy futbollistë shqiptarë

Juventus është përfshirë së fundmi nën një hetim nisur nga prokuroria e Torinos dhe Guardia di Finanza, për të cilat raportohet se ka përgjime telefonike. Në qendër të saj janë bilancet e klubit bardhezi, ku dyshohet se bëhet fjalë për parregullsi në plusvalencat e regjistruara për rreth 43 futbollistë.

Teksa çështja kulmore mund të konsiderohet dokumentacioni jo i plotë për Cristiano Ronaldon, në listën e plusvalencave të dyshimta nga bardhezinjtë është edhe emri i Giacomo Vrionit.

Sulmuesi i Kombëtares u transferua te Juventus nga skuadra e Sampdorias. Vrioni, i cili momentalisht është huazuar tek austriakët e Tirol, është regjistruar me një vlerë prej 2.88 milionë eurosh.

Prokuroria dhe instancat shtetërore në Itali kanë nisur hetim të hollësishëm për këto transferime apo bilance, teksa drejtuesit e klubit bardhezi kanë nisur që të merren në pyetje.

Një tjetër lojtar me origjinë shqiptare në këtë listë të vënë nën hetim është Albian Hajdari, pjesë e të rinjve të Juventusit i ardhur nga skuadra e Basel, për një vlere prej 4.33 milionë eurosh. 282 milionë euro është shifra që dyshohet e manipuluar nga Juventus në tre sezonet e fundit. / oversport.tv