Qeveria britanike do të propozojë një ligj ku ndalon klubet të kenë kompanitë e basteve si sponsor kryesor në fanellë. Sipas mediave angleze, qeveria është gati të propozojë një ligj të tillë së shpejti.
Në këtë sezon të Premier League, 9 nga 20 klubet e kampionatit anglez kanë si sponsor kryesor ne fanellë kompanitë e basteve, ndërsa në Championship janë 6 ekipe. Këto marrëveshje vlejnë diku rreth 100 milionë Paund në vit.
Sipas një studimi të fundit, përveç një ekipi të gjitha ekipet e tjera në Premier League kanë në një mënyrë ose tjetër marrëveshje me kompanitë e basteve. Ndërsa në Championship janë 15 ekipe që kanë marrëveshje me kompanitë e basteve.
Gjithashtu, qeveria e Boris Johnson po mendon të ndalojë reklamimin e kompanive të basteve dhe në vënde të tjera si në televizione dhe në fushë. Por kjo ide është në shqyrtim dhe do të zhvillohet në një fazë të dytë.
Këto ndryshime ligjore priten të futen në fuqi jo më herët se viti 2023 neqoftëse çdo gjë shkon mirë e sipas planit. Për të miratuar këto nisma janë zhvilluar dhe shumë fushata ndërgjegjësimi me protagonistë dhe shumë ish futbollistë të famshëm si Peter Shilton etj.