Historike për futbollin shqiptar, Tibo sjell në platformën e saj “Partizani Channel”

Pas stadiumit të ri në pronësi të vetë klubit, Partizani bën një tjetër lëvizje historike në futbollin shqiptar në bashkëpunim me platformën TIBO. Për herë të parë një klub futbolli në Shqipëri do të ketë një kanal të vetin televiziv, “Partizani Channel”.

Kanalin zyrtar të Partizanit do të keni mundësi ta ndiqni në platformën Tibo në kanalin 216. Të gjithë tifozët e Partizanit do të kenë mundësi të ndjekin 24 orë në ditë gjithçka lidhet me klubin e tyre të zemrës.

Një njoftim zyrtar ka bërë edhe klubi i Partizanit në mediat sociale ku ka dhënë edhe më shumë detaje për këtë risi të futbollit shqiptar. Platforma Tibo e cila ka eskluzivitetin e “Abissnet Superiore”, Kategorisë së Parë, Kupës dhe Superkupës së Shqipërisë, tashmë mundëson një tjetër risi në botën e futbollit shqiptar.

Njoftimi i Partizanit

𝐏𝐀𝐑𝐓𝐈𝐙𝐀𝐍𝐈 𝐂𝐇𝐀𝐍𝐍𝐄𝐋 !!!

Për herë të parë në Shqipëri, një Klub Futbolli hap televizionin e tij dhe këtë e bën FK Partizani. Një tjetër projekt i presidentit Gazment Demi, i cili bëhet realitet në bashkëpunim me TIBO Media Partner dhe presidentit të saj Adnand Mahmuti. Tashmë klubi ka një kanal televiziv ku do të mund të transmetojë që nga ndeshjet e ditëve të sotme e deri tek ato të viteve të shkuara, por pa lënë mënjanë sfidat e ekipeve të moshave, ekipit të femrave si dhe intervista të veçanta me protagonist aktual por edhe figura të shquara të ” Klubit Legjendë”…

Ditët në vijim pritet edhe ceremonia zyrtare e hapjes së Partizani Channel ku dy presidentët do të nënshkruajnë marrëveshjen mes tyre.

Në bashkëpunim me platformën TIBO, në kanalin 216 të saj, tifozët e kuq mund të ndjekin gjithçka që lidhet me FK Partizanin 24 orë në ditë. Shumë shpejt do të ketë edhe emisione të dedikuara ku edhe vetë tifozët do të jenë pjesë … Sepse ne jemi një familje e madhe! Familja e kuqe …