“E vetmja gjë që mund ta ndalte shqiptarin Eklent Kaçi në finalen e Kampionatit Botëror të Bilardos në disiplinën 10-ball ishte fikja e dritave”. Kështu nis artikulli i “azbilliards” pas triumfit të bilardistit laçian, i cili u shpall kampion bote në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo është arritja më e madhe e Kaçit, i cili mposhti në gjysmëfinale biliardistin nga Singapori, Aloysius Yapp, me rezultatin 10-8. Në finale e priste Naoyuki Oi, japonezi i njohur në këtë sport. Shqiptari ishte në një formë të shkëlqyer dhe ia doli të triumfonte.
Kaçi e nisi mirë, duke krijuar një epërsi 4-1. Oi nga ana tjetër nuk u dorëzua dhe e çoi ndeshjen në barazim 4-4. Laçiani më pas mblodhi sërish forcat për ta çuar në 6-4.
Loja ishte e fortë dhe shkoi në 7-6. Më pas japonezi gaboi dhe Kaçi mori lojën e tetë dhe vazhdoi deri tek e dhjeta, për të fituar 10-6 dhe për t’u shpallur kampion bote. /oversport.tv