Holanda nuk gabon dhe kualifikohet në fazën e 1/8, kalon më tej edhe Senegali  

Holanda nuk gabon në sfidën e tretë të Gurpi A dhe mposht Qatarin me rezultatin 2-0 duke u kualifikuar për fazën e 1/8. Golat e Gakpo dhe De Jong mjaftuan për “Tulipanët” që të dalin nga ky takim me pikë të plota dhe të mbajnë vendin e parë në grupin A.

Ndeshja dominohet totalisht nga Holanda që hidhet menjëherë në sulm për të zhbllokuar rezultatin. Njeriu më në formë për Holandën në këtë Kupë Bote, Cody Gakpo realizon golin e parë për “Tulipanët” në minutën e 26-të. Me rezultatin 1-0 mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën, Holanda gjen shpejt edhe golin e dyfishimit.

Këtë herë është mesfushori i Barcelonës, Frenkie de Jong që mposht portierin kudnërshtar duke e çuar rezultatin në 2-0. Holanda gjen edhe një tjetër gol me Berghuis, por sistemi VAR anulon gjithçka për një prekje të topit me dorë. Megjithatë, në fund është Holanda që triumfon dhe mban vendin e parë në grupin A me 7 pikë.

Në vendin e dytë të grupit A renditet Senegali që mposht Ekuadorin me rezultatin 2-1 dhe kalon në fazën tjetër. Afrikanët dolën me tre pikë nga një ndeshje mjaft e komplikuar falë golave të Sarr dhe Koulibaly, ndërsa për Ekuadorin vendosi baraspeshën provizore Caicedo.

Në pjesën e parë Senegali është më kërkues dhe ka disa shanse të mira me Gueye dhe Dia, por pa arritur dot të mposhtin portierin kundërshtar. Për të zhbllokuar shifrat e takimit mendon Ismaila Sarr që realizon me një 11-metërsh në fundin e pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, Senegali tërhiqet për të mbrojtur rezultatin dhe i jep më shumë terren Ekuadorit. Këta të fundit vendosin baraspeshën në minutën e 68 me mesfushorin Caisedo. Senegali nga ana tjetër nuk humbet kohë dhe rimerr avantazhin pas vetëm 2 minutash.

Këtë herë është mbrojtësi i Chelsea, Kalidou Koulibaly që realizon golin i cili vulos edhe rezultatin final të takimit. Me shifrat 2-1 mbyllet edhe sfida, ndërsa Senegali kualifikohet në fazën e 1/8 si vendi i dytë i grupit A me 6 pikë. Ekuadori e mbyll këtë edicion me 4 pikë të grumbulluara, ndërsa vendi organizues, Katari nuk grumbulloi dot asnjë pikë. /oversport.tv

Foto: FIFA World Cup, Twitter