Homazhet në “Selman Stërmasi” për Ylli Mihalin, Armand Duka me fjalë të ndjera

Ylli Mihali është ndarë nga jetë një ditë më parë dhe ditën e sotme janë bërë homazhet në nderim të tij. Fizioterapisti i kombëtares shqiptare të futbollit ka prekur një komunitetet të madh, ndërkohë që sot për të ka folur edhe presidenti i FSHF, Armand Duka.

“Sot është një ditë e trishtë, e keqe, për mua personalisht dhe për të gjithë futbollin shqiptar. Kemi humbur një nga njerëzit tonë më të mirë, më të dashur, i cili ka kontribuar për 27 vite në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Mbase pak e kanë njohur, por ata që kanë luajtur, ju të medias që jeni afër futbollit, e kanë ndjerë dorën e Yllit në këto 27 vite. Ishte një djalë i shkëlqyer, një fizioterapist shumë i mirë, një njeri i pakursyer për të ndihmuar të tjerët.

Më vjen keq që nuk arritëm ta ndihmojmë dot, ta mbajmë në jetë Yllin. U përpoqën të gjithë, por ishte i pamundur. Ky covid i mallkuar na ka dhënë shumë dhimbje të tjerë, sikurse edhe sot na dha një dhimbje shumë të madhe për futbollin shqiptar.

Do doja të ngushëlloja familjen, të gjithë miqtë e Yllit, futbollistët, të cilët të gjithë kanë qenë të trishtuar për humbjen e Yllit. Nuk ka fjalë, Ylli nuk kthehet më. U prehtë në paqe. Ai e ka shkruar historinë te ne që e kemi njohur nga afër. Ashtu siç kishte emrin, yll ishte në të vërtetë”, është shprehur Duka pas homazheve të bëra në “Selman Stërmasi”. / oversport.tv