Tirana përballet nesër me Egnatian në “Selman Stërmasi” dhe synimi janë tre pikët. Në prag të këtij dueli ka dalë para mediave mesfushori Engjëll Hoti, i cili sezonin e shkuar ishte pjesë e Llapit në Kosovë dhe më parë ka luajtur edhe në Gjermani.
“Më pëlqen kampionati shqiptar. Kemi bërë vetëm një ndeshje, që e mbyllëm me sukses. E nisëm mbarë, por më duhet edhe pak kohë për të parë më shumë skuadra dhe për të parë tifozerinë, e cila na mbështet shumë”, tha fillimisht Hoti, i pyetur në lidhje me kampionatin tonë.
Mesfushori, për duelin me rrogozinasit, shtoi: “Jemi përgatitur maksimalisht dhe është një ndeshje e vështirë, si çdo lojë në kampionat. Ne nuk duhet ta marrim asnjë ndeshje lehtë. Te japim maksimumin, për të marrë maksimumin”.
Hoti më tej thekson se është përshtatur shpejt te Tirana: “Skuadra është super, kam edhe shokë të cilët janë shqiptarë të Kosovës. Disa të tjerë flasin edhe gjuhën gjermane, gjë që më ndihmon. Jam përshtatur shumë shpejt dhe djemtë e ekipit janë shumë të mirë. Jemi lidhur shumë gjatë qëndrimit në fazë përgatitore në Pogradec”.
Në fund ai pranon vështirësinë e Superiores: “Kampionati shqiptar është fizikisht shumë i vështirë, luhet futboll i shpejtë. Futbolli është 11 përballë 11 kudo, kështu që kjo ka rëndësi dhe këtu duhet të fokusohemi”. / oversport.tv